Qëllimi kryesor i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale është mbrojtja e të dhënave personale të çdo individi (subjekte të të dhënave personale) dhe garantimi i të drejtave të tyre.
DPO Albania synon ofrimin e shërbimit të konsulencës dhe përfaqësimit për çdo individ që pretendon se i është shkelur privatësia dhe i janë përpunuar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale (psh: janë publikuar të dhënat personale pa pëlqim dhe në kundërshtim me ligjin) nga ana e ndonjë kontrolluesi publik ose privat, duke garantuar edhe të drejtën për kompensim/dëmshpërblim.
KONSULENCË
Ne ofrojmë konsulencë të specializuar dhe profesionale për çdo qytetar (shqiptar ose të huaj) për të gjitha çështjet që lidhen me garantimin e të drejtave të tyre në kuadër të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe plotësimin e detyrimeve ligjore të kontrolluesve dhe përpunuesve në raport me këta qytetarë (në cilësinë e subjekteve të të dhënave personale).
Konstatojmë problematikat dhe ofrojmë zgjidhjet duke garantuar konfidencialitetin tuaj.
Disa nga rastet kur mund tju asistojmë:
Kur ju kërkoni akses në dokumentacionin që përmban të dhënat tuaja personale dhe kjo nuk u mundësohet nga kontrolluesi (institucioni publik/kompania/organizata, etj). Disa shembuj:
a) kur punëdhënësi juaj nuk ju jep akses në dokumentacionin e punësimit, b)kur banka nuk ju jep akses në dokumentacionin tuaj bankar, c) kur Spitali ose Klinika nuk ju jep akses në dokumentet, analizat dhe të dhënat tuaja shëndetësore, etj. ç) kur një institucion publik nuk ju jep akses në të dhënat tuaja personale të cilat i administron në kuadër të një legjislacioni specifik.
Kur të dhënat tuaja janë publikuar në media, etj, në mënyrë të paligjshme. dhe ju keni të drejtë të kërkoni bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e tyre në rast se të dhënat nuk janë të sakta, të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit.
Ose në rastet kur të dhënat edhe pse janë mbledhur dhe publikuar fillimisht në mënyrë të ligjshme nga media, në motorin e kërkimit Google, kushtet ligjore dhe rrethanat kanë ndryshuar, duke shkelur parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit, çka do të sillte nevojën e respektimit të të drejtës tuaj për tu harruar (the right to be forgotten).
Kur ju kërkoni korrigjimin ose fshirjen e të dhënave tuaja në bazat e të dhënave shtetërore dhe në sisteme të tjera publike, me pretendimin se nuk janë të sakta, ose janë përpunuar përtej afatit ligjor, ose janë mbledhur dhe përpunuar në kundërshtim me parashikimet ligjore, etj.
Raste të tjera të mundshme ku konstatohen problematika lidhur me përpunimin e të dhënave personale, në kundërshtim me parimet, të drejtat dhe detyrimet ligjore, për të cilat mund tju asistojmë.
Ne ju përfaqësojmë dhe mbrojmë të dhënat tuaja personale duke garantuar respektimin e të drejtave tuaja (Psh: të drejtën për akses në dokumentacion me të dhënat tuaja persoanle, të drejtën për korrigjim, fshirje, të drejtën për tu ankuar, etj) nga çdo kontrollues dhe/ose përpunues (institucion publik, kompani, organizatë, etj).
Hartojmë dhe ndjekim çdo kërkesë ose ankesë tuajën drejtuar fillimisht kontrolluesve dhe/ose përpunuesve deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në favorin tuaj, duke përfshirë edhe të drejtën për kompensim.
Në raport me Komisionerin për të Drejtën e Infomrmit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ne ju përfaqësojmë dhe mbrojmë interesat tuaja lidhur me të dhënat personale edhe në raport me Zyrën e Komisionerit, për hartimin e kërkesave të ndryshme dhe ankesave drejtuar këtij të fundit, duke kërkuar respektimin e të drejtave tuaja ligjore dhe kompensimin në rast dëmi të ardhur nga veprimet e paligjshme të kontrolluesve dhe/ose përpunuesve.
Në raport me Gjykatat.
Ne ju përfaqësojmë edhe në Gjykatë, duke përgatitur të gjitha aktet procedurale përkatëse, si dhe duke kërkuar respektimin e të drejtave tuaja, kundrejt çdo kontrolluesi/përpunuesi apo Zyrës së Komisionerit.